Partia Demokratike ka mbajtur Foltoren e radhës këtë të hënë para Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, u ndal te protesta e datës 20 shkurt, duke thënë se ishte kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur vendi pas asaj të 20 shkurtit 1991.
“Misionarë të pamposhtur të qëndresë ndaj një regjimi që vjedh varfëron poshtëron përzë nga Shqipëria, çdo orë çdo ditë qytetarët e këtij vendi. Nuk ka vendim më fisnik nuk ka ideal më të lartë se sa beteja kundër këtij regjimi që ka ngërthyer trupin e Shqipërisë. Kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria pas 20 shkurtit 1991.
Ishte dita e triumfit tuaj. Të guximit qytetarë, triumfit të përgjegjësisë së qytetarëve ndaj vendit dhe kombit. Tirana e tërë ishte në duart e qytetarëve, që tmerroi këtë klikë organizatë kriminale e kryesuar nga Edi Rama. Në krimet e saj meriton shekuj shekuj shekuj burg dhe dënime”- tha Berisha.
Përpara demokratëve në shesh, Berisha komentoi edhe mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, duke thënë se me 9 veprat penale që ka kryer, dënojet me 36 vite burg.
“Sot në Këshillin e Mandateve, faqezi Manja thotë ‘ja se kjo Lubia nuk ka kryer një krim kaq të rëndë sa të arrestohet’. Përgjigja ishte ligjore. Kjo Lubia me 9 veprat e saj penale, shkon në minimum 36 vite burg. Por iu garantoj këtu se ato 9 vepra nuk janë më shumë se 1/10 e krimeve të Lubisë së Edi Ramës, dhe kriminelëve të tjerë në qeveri. Një mik më thoshte sot, doktor uroj që qytetarët që ajo që shohim në rrugët që shemben njëra pas tjetrës, çdo ditë, të sapo ndërtuara, që shemben siç u shemb rruga në Përrenjas vetëm nga gërryerja e lumit dhe prishja e bazamentit që ka tre ditë që ka izoluar juglindjen, jo shembje është e njëjtë me shtetësi. Shumë herë më e dhimbshme në shtetësi sepse janë jetë njerëzish që ikin. Janë jetë burrash e grash, të rinjsh që shuhen për shkak të mungesës së mjekimeve, të ilaçeve pa efekt. Për shkak të vjedhjes së parave, të ilaçeve për të sëmurët. Nuk them se ishte në një nivel të përsosur shëndetësia më parë, por disa gjëra janë të pamohueshme. Të pakundërshtueshme. Shqiptarët paguanin edhe atëherë nga xhepi, por 30% të asaj që shpenzonin për shëndetin e tyre. 70% e kishin nga shteti. Sot paguajnë 60% nga xhepi, më shumë se të tjerët në Evropë. Sot ilaçet janë Nushi Doshi, Doshi Nushi. Janë të skaduara pa efekt, mashtrim dhe vetëm mashtrim.“, tha ai.