Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi Kuvendin për Komisionet Parlamentare.
Duke dalë kundër vendimit, Balla thekson se nuk gjen dot një lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e vet në komisione të përhershme dhe vendimit të “Kushtetueses”.
Balla thotë se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta vazhdojë punën e tij me ndarjen aktuale të Komisioneve të cilat sipas tij do duhet të rimiratohen bashkë me ndryshime të tjera.
“Nuk gjej dot asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së vet në komisione të përhershme dhe vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese. Pres me shumë kuriozitet vendimin e plotë për të kuptuar edhe atë çështjen e “të drejtës së shprehjes”, kur është fakt se deputetët kanë votuar dhe e kanë shprehur vullnetin qartazi me votë.
Megjithatë mendoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta vazhdojë punën e tij me ndarjen aktuale të Komisioneve, të cilat do duhet të rimiratohen bashkë me ndryshime të tjera që siç njoftova në fillim të sesionit do t’i depozitojmë në ditët në vijim”, shkruan Balla.