Ka përfunduar pas disa orësh mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një komunikim për mediat ka dhënë detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura, ndërsa shtoi se anëtarët e PS u kthyen në një mburojë të Ballukut, me urdhër të kryeministrit, Edi Rama.
Bardhi tha se SPAK konfirmoi se situata penale ndaj Ballukut është rënduar më shumë krahasuar me masat e para që gjykata ka dhënë ish-numrit dy të qeverisë.
“Edi Rama ka urdhëruar 5 anëtarët e tij të komisionit të bëhen mburojë të të inkriminuarës Belinda Balluku. Po SPAK tha sot se pozita e Ballukut është rënduar me provat e reja. Por masat nuk mbrojnë dot hetimin e pavarur dhe të plotë të çështjes. Prokuroria tha sot në Komision se masat në GJKKO i ka kërkuar fillimisht kur veprat që akuzohej Balluku parashikonin dënim me 10 vite burg, kurse tani me provat e reja, zonja Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Pra jemi në një situatë të rënduar të krimeve të saj”, tha Bardhi ndër të tjera.
Bardhi foli edhe për intimidimin e të pandehurve dhe dëshmitarëve nga Balluku, që u konfirmua edhe nga SPAK.
“Pra dy forma, njëra me kërcënim se do hiqeshin nga puna, ata, familjarët e të tjerë. Dhe tjetra me para, që ata të hapnin gojën se sa donin që ata të ndryshonin dëshmitë. Ndaj ne kërkonim edhe prezencën e medias në mbledhje, që të dëgjonit se si kërcënoheshin dëshmitarët, se si intimidoheshin me bukën e gojës qytetarët. Prokuroria konfirmoi se nuk bëhet fjalë vetëm për të pandehur, por edhe për dëshmitarë që do thirren nga SPAK e për shkak të atyre që do dëshmojnë, janë intimiduar dhe kërcënuar në ato dy forma që thashë më sipër, pra persona që janë të pandehur apo persona pjesë e kabinetit ë zv/kryeministres”, tha Bardhi.