Vdekja e elektricistit në Lezhë, procedohen 4 punonjës të OSHEE-së

4 punonjës të OSHEE-së janë proceduar në gjendje të lirë, një ditë pas ngjarjes së rëndë të një dite më parë ku humbi jetën një elektricist, 27 vjeçari Mark Prenga.

Ky i fundit gjeti vdekjen tragjikisht si pasojë e rëniës në kontakt me rrymën elektrike gjatë riparimit të një defekti, në një shtyllë në fshatin Rrilë.

Nga verifikimet paraprake dyshohet se nuk janë respektuar protokollet e sigurisë.

Procedimi nisi për inxhinierin elektrik dhe tre elektricistë të OSHEE, për veprat penale: “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”,

Njoftimi i policisë:

” Në vijim të informacionit të dhënë dje, mbi humbjen e jetës së shtetasit M. P. (me detyrë elektricist i OShEE-së), dyshohet si pasojë e rënies në kontakt me rrymën elektrike, gjatë riparimit të një defekti, në një shtyllë në fshatin Rrilë, infomojmë se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Lezhës, nisi procedimi penal, për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin M. L., 34 vjeç, me detyrë inxhinier elektrik i OShEE-së, si dhe për shtetasit K. Ll., 60 vjeç, A. Xh., 62 vjeç dhe E. R., 23 vjeç, me detyrë elektricistë të OShEE-së.”