Kërkesë në disa banka, SPAK nis hetimin pasuror ndaj Belinda Ballukut

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka thelluar hetimet për zv.kryeministren e pezulluar Belinda Balluku, për të cilën tashmë ka filluar edhe hetimin pasuror.

SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera.

Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ministren, pasi ajo akuzohet për abuzime me tenderat në vlerë qindra milionë euro.

Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që do të mbahet në 23 Shkurt, prokurorët e SPAK pritet të paraqesin prova të reja që rëndojnë pozitat e Ballukut, për të cilën kërkojnë ta arrestojnë, pasi dyshohet se mund të prishë provat apo arratiset.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti rreth 210 milionë euro.