Pezullimi i Belinda Ballukut dhe kërkesa për arrestimin e saj kanë ngjallur panik te socialistët e sidomos te kryeministri Edi Rama, që po shikon se si drejtësia po shkon shumë afër zyrës së tij.
Ndaj, me urdhër të tij, sot Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur të ndërhyjë në legjislacion për t’i “lidhur duart” SPAK dhe GJKKO, për të mos pezulluar dot më ministrat e korruptuar të qeverisë, por këtë të drejtë do ta ketë vetëm kryeministri Rama, që tashmë vetë edhe prokuror, edhe gjykatës i ministrave të tij.
Por, për të justifikuar mbrojtjen e ministrave të korruptuar, në projektligj janë përfshirë edhe disa poste të tjera që nuk do të lejohen të pezullohen nga gjykata. Në të, do të shtohen edhe Presidenti, Kryeministri, zv.kryeministri, ministrat, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Si do ndryshohet Kodi i Procedurës Penale, neni 242:
Si është:
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Si bëhet:
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zv.kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”.