Mblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore, mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor

Pas disa bojkotesh nga opozita, sot është mbledhur Komisioni për Reformën Zgjedhore, ku do të diskutohet për Kodin e ri Zgjedhor, sipas rekomandimeve edhe të OSBE/ODIHR.

Bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, Damian Gjiknuri, tha se pavarësisht se PS i ka 71 votat për ta miratuar e vetme ligjin e ri, do të duhet të ketë një konsensus me opozitën.

“Detyrat që na ka dhënë Komisioni Evropian duhet të plotësohen. Pavarësisht se drafti i partive politike, kërkon 71 vota, mazhoranca e ka thënë në fjalën e saj se këtë ligj, duam ta trajtojmë në mënyrë konsensuale. Do të bëhet transparenca për fondet për të gjitha partitë. Përtej tensioneve politike, kjo gjë është e nevojshme, pasi do të ketë garë mes partive.”, tha ai.

Ndërkohë, Oerd Bylykbashi, bashkëkryetari demokrat i komisionit, u shpreh se nuk duhet që të përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2020, ndërsa theksoi se është shumë e rëndësishme që të hartohet strategji, duke nënvizuar se duhen lënën mënjanë faktorët që në të shkuarën kanë çuar në dështimin e proceseve.

“Do të jetë një punë me rëndësi siç është dëshmuar në të shkuarën. Sigurisht që do të na jepni mundësinë që gjithë tematikat tona, të punës së vendimmarrjes politike të Komisionit. Nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi në 2020 dhe që u ripërsërit me momentin e votimit të Avokatit të Popullit, ku në parlament i votua një gjë krejt tjetër. Ky Komision ka për objekt dhe detyrë që t’i trajtojë rekomandimet e OSBE/ ODIHR me konsensus. Duhet që ky Komision të marrë më të mirën e proceseve të shkuara të lërë mënjanë faktorët që kanë çuar në dështimin e proceseve. Kjo është parakusht që kjo reformë të ketë sukses. Kjo do të jetë korniza që ne si opozitë, të jetë kjo që na udhëheq.

Çdo gjë tjetër do të ishte e papranueshme. Edhe në të shkuarën kemi pasur situata që kanë pasur paqartësi dhe duke pasur ketë të qartë, të hartohet një strategji. Sistemi zgjedhor është një nga problemet që ne kemi, pushtimi i zgjedhjeve nga shteti është problematikë e madhe. Kur flas për pushtimin e zgjedhjeve nga shteti, kjo nis nga përdorimi i individëve në proces deri në përdorimin e pushtetit. Kemi vendosur ta nisim nga një çështje që është me rëndësi, partitë politike kanë interes për mënyrën se si do të financohen. Pra nuk duhet parë vetëm nga transparenca aspekti i financimit, por edhe nga burimet nëse janë të mjaftueshme apo të shëndosha që nuk i bën partitë të varura apo vunerabël të presioneve”, tha Bylykbashi.