Gjyqtarët duan rritje të pagës, Rama i sulmon: 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave. Teksa Gjykata Kushtetuese kërkon më shumë kohë për të dhënë një mendim për këtë çështje, Rama në një postim në rrjetin social X ka vijuar me sulmet ndaj gjyqtarëve.

Rama ka vijuar ne sulmet ndaj magjistratëve dhe thotë se deri tani, gjykatat kanë dhënë 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit.

“Dhe ndërkohë, radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numrit 92, që do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër… Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!”- shkruan Rama në postimin e tij.

Postimi i Ramës:

A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?! Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë (në Gjykatën Administrative të Apelit), duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim! Dhe ndërkohë, radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numrit 92, që do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër… Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!