Ka vite që mazhoranca përdor dy standarde për rregulloren e Kuvendit, ku deputetët opozitarë dënohen për çdo fjalë apo veprim, ndërsa ata socialistë amnistohen.
Edhe sot në Kuvendin e Shqipërisë pati përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, pasi Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste se po mbron ish-zv.kryeministren e pandehur Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se të majtët “po mbrojnë vithet e Belindës”, dhe pas kësaj, kreu i Kuvendit i hoqi fjalën kryedemokratit.
“Siç e shihni parlamenti është strofull e mbrojtjes së hajdutëve. Këta që janë pas shpinës time dhe këta të këtij krahu janë maska e Lubisë dhe Ramës. Kurrë nuk keni patur në këtë sallë një grup njerëzish që shkelmojnë mbi interesat tuaja jetike për të mbrojtur, vithet e Belindës, në të vërtetë Edi Ramën”, tha Berisha dhe më pas iu ndërpre fjala.
Pas fjalës së tij, disa prej deputeteve socialistë e kritikuan për fjalorin e përdorur, por vetëm disa minuta më pas fjalën e mori deputetja Sara Mile, e cila ndryshe nga ato që predikonin kolegët e saj socialistë, përdori gjuhë fyese në Kuvend.
Ajo iu drejtua Sali Berishës duke i thënë se ka vite që “djeg Shqipërinë për prapanicën e tij dhe të familjes së tij”. Mile e përdori disa herë fjalën “prapanicë”, përpara se t’i fikej mikrofoni.
“Ky kryetari non grata, meqë na përmendi si mbrojtës prapanicash, djeg prej 30 vitesh Shqipërinë për prapanicën e tij dhe të familjes së tij”, tha ajo.
Por, këtë herë deputetët socialistë jo vetëm që nuk kundërshtuan, por filluan ta duartrokisnin.
Pra, dy standarde të socialistëve, që iu djegin “vithet e Belindës”, por u bëhet qejfi për “prapanicën” e Sara Miles.