Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

Me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenim, deputetët zgjodhën sot Albulena Haxhiun, nga Lëvizja Vetëvendosje si kryetaren të re të Kuvendit të Kosovës.

Seanca e sotme vjen pas përfundimit të procesit zgjedhor të 28 dhjetorit dhe certifikimit të rezultateve.

Në fjalën e saj të parë si kryeparlamentare, Haxhiu përmendi gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Ne sot debatojmë lirshëm në këtë sallë falë sakrificës së madhe të popullit tonë për liri, përfshirë luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kontributin e madh të grave dhe të burrave për vendin. Sot në këtë pasdite vijmë pasi gjatë tërë ditës kishim seancën gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Historia e popullit shqiptar është e qartë dhe është e drejtë. Lufta e tyre ka qenë e drejtë për çlirim, dihet kush ka qenë agresori, dihet kush ka bërë krime në vendin tonë, ato janë të regjistruara nga bota mbarë”.

Ajo tha se merr këtë pozitë “me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që mban dhe respekt të thellë për vullnetin qytetarët që na kanë sjellë këtu”.

“Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve, edhe e atyre që pajtohen me ne edhe atyre që mendojnë ndryshe”.

Ndërkohë u zgjodhën edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, nga legjislatura e re e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur: Ardian Gola

Nga Partia Demokratike është zgjedhur: Vlora Çitaku

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës zgjedhur: Kujtim Shala

Nga komunitetet jo shumicë janë zgjedhur: Slavko Simic dhe, Emilja Rexhepi