Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me protestën e mbajtur dje nga opozita, e cila u shoqërua me hedhje molotovësh në drejtim të institucioneve dhe policisë, ndërkohë që këta të fundit hodhën gaz lotsjellës dhe dhunuan disa qytetarë, mes tyre edhe deputetin Bledion Nallbati.
Rama ka publikuar foton e molotovëve artizanalë të përgatitur nga protestuesit, teksa thotë se PD është e vetmja Parti Demokratike në botë që ushtron dhunë, ndërsa krahason Sali Berishën me famëkeqin Robert Mugahbe të Zimbabve.
Kreu i qeverisë kërkon nga drejtësia që të ndëshkohen përgjegjësit që hodhën molotov, ndërsa shton se opozita përgjigjen do ta marrë në zgjedhjet e ardhshme, ku do të pësojë një tjetër humbje edhe më të madhe.
Postimi i Ramës:
Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!
Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!
Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian