Përshkallëzon protesta para Parlamentit, hidhet molotov drejt policisë! Uniformat blu përgjigjen me gaz lotsjellës

Është tensionuar protesta e opozitës edhe para Parlamentit, ku janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Protestuesit kanë hedhur mjete të forta në drejtim të policisë, si dhe molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të Kuvendit.

Molotovët janë hedhur shumë pranë policëve dhe qytetarëve duke krijuar kaos. Raportohet se ka të lënduar si pasojë e situatës së krijuar.

Policia ka reaguar menjëherë duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës për të neutralizuar situatën.

Protesta e Partisë Demokratike ka nisur që prej orës 17:00. Fillimisht protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, ku mbajtën fjalën disa përfaqësues të PD, mes tyre edhe kryedemokrati Sali Berisha.

Pas fjalës së këtij të fundit, protesta u tensionua, pasi u hodhën molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së qeverisë.

PD proteston kundër qeverisë Rama, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, teksa ish-numri dy i qeverisë, Belinda Balluku është e pandehur nga SPAK për Tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për Unazën e Madhe.