Edison Memolla nuk i ndahet qytetit të tij, nga Bashkia në Burgun e Rrogozhinës

Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili u dënua ditën e djeshme nga Apeli i GJKKO-së me 1 vit burg, do ta kryejë dënimin në burgun e Rrogozhinës.

Kjo do të thotë se ai do të shkojë jo shumë larg zyrës që mbante deri dje, duke mos iu ndarë sërish qytetit të tij.

Edison Memolla u mor i pandehur nga SPAK pas një audio-përgjimi ku tregohej sesi paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve në këmbim të votave në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022.

Sipas prokurorisë nga hetimet është provuar se Memolla, në zgjedhjet e parakohshme të 6 marsit, ndikoi tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij. 

Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin e tij me 1 vit burg, ndërsa Memolla nuk mundet të mbajë asnjë funksion publik për një periudhë 5 vjeçare.