U nxori armën qytetarëve gjatë sherrit, pezullohet efektivi i Policisë

Një efektiv policie është pezulluar nga detyra, pasi gjatë një sherri për motive të dobëta me disa qytetarë, u ka nxjerrë armën e shërbimit.

Poilicia bën me dije se është pezulluar Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës.

Ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, ndërsa iu bllokua edhe arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”. Në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore e procedurale Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka referuar materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.02.2026, në lagjen Laprakë, Njësia Administrative nr. 11, Tiranë, te pallatet malajziane, ku punonjësi i Policisë, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, për motive të dobëta, u konfliktua me shtetasin D. H., të cilin dyshohet se e ka kanosur me armën e shërbimit, informojmë se:

Menjëherë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit e ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë, Nënkomisar F. H., dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor.

Gjithashtu, në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.

Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore e procedurale Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka referuar materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”.