KE “shuplakë” Ramës: Të trajtohet sa më shpejt çështja e imunitetit të Ballukut! Lufta kundër korrupsionit, parësore për anëtarësimin e Shqipërisë

Komisioni Europian thotë se Kuvendi duhet të adresojë pa vonesë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, teksa mbledhja e Këshillit të Mandateve është shtyrë, pasi socialistët ishin në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetutës.

Kjo e fundit, pak ditë më parë vendosi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, dhe njëherazi Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në një përgjigje të dhënë për mediat, KE thekson se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij, duke iu referuar këtu edhe rastit të ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për Unazën e Madhe.

Reagimi i Komisionit Europian vjen vetëm pak orë pas deklaratës së Ramës, i cili njoftoi ndryshime në legjislacion dhe u bë edhe njëherë mburojë e Ballukut.

Po ashtu, Rama tha se nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zv.kryeministres.

Ndërkohë Komisioni Europian nënvizon se lufta kundër korrupsionit është parësore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”- thuhet në përgjigjen e KE-së.

Ish-numri dy i qeverisë, Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Ndërkohë është në hetim për Unazën e Madhe në Tiranë.

Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e saj nga detyra, ndërsa qeveria bëri ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi fillimisht kthimin në detyrë të Ballukut, por çështja në themel u shqyrtua më datë 22 janar 2026.

Gjykata Kushtetuese u mblodh tre herë për të marrë vendimin, kjo edhe për shkak të çështjes sensitive. Në mbledhjen e fundit, datë 6 shkurt, Kushtetuesja vendosi pezullimin e Belinda Ballukut, duke rrëzuar padinë e qeverisë, në lidhje me ankimimin që i bëri vendimit të GJKKO.

Gjykata Kushtetuese nuk arriti shumicën për këtë vendimmarrje, por votat u ndanë 4 me 4, dhe si pas ligjit, në rastet kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, kërkesa rrëzohet.