Teksa kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndërhyrje në legjislacion pasi nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm për marrjen e një vendimi nga gjyqtarët e Kushtetueses, sa i takon çështjes “Balluku”, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Partia Demokratike.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi shkruan se ‘Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor, por po mbron pushtetin e vet të korruptuar”.
Më tej Bardhi thotë se pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut, por është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale dhe se vlen për çdo funksionar public, qoftë për minister për zëvendëskryeministër apo për kryeministër.
Ndër të tjera ai bën thirrje që të mblidhet Këshilli i Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut.
Reagimi i Gazment Bardhit:
3 të vërteta për ndërhyrjen e Ramës në një hetim aktiv:
1. Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten.
2. Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Është presion i organizuar kundër drejtësisë.
3. Kur thuhet se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, mesazhi është i qartë: Drejtësia duhet të presë. Pushteti ka nevojë për blerje kohe.
Pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut. Është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale. Ai vlen për çdo funksionar publik.
Për ministër. Për zëvendëskryeministër. Për kryeministër.
Kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund të pezullohet kushdo, sepse pezullimi nuk paralizon shtetin. Paralizon vetëm personin nën hetim për të shmangur ndikimin përmes funksionit.
Arresti kërkohet kur rrezikohet hetimi përmes intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave. SPAK ka sjellë prova se këto rreziqe janë konkrete në rastin e Belinda Ballukut. Pra, janë dy masa paralele. Njëra mbron procesin penal, tjetra mbron institucionin.
T’i ngatërrosh ato, siç bën Edi Rama, është deformim i së vërtetës me qëllim pengimin e drejtësisë.
Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin.
Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari i Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë.