Prokuroria Speciale e Hagës kërkon 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së

Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria po jep pretencat për në ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokurorja e Hagës, Kimberly West ka kërkuar një dënim prej 45 vitesh burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të arrestuar në nëntor të vitit 2020.

“ZPS-ja kërkon vendim dënimin e personave konkret, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjithë pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale, të kryera prej secilit prej personave. Këto krime janë lufte, krime kundër njerëzimit, e janë të rënda në natyrë, e këto akuza, nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës. Mbeten shumë të rënda”, tha ajo.

West ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”.

Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.

“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”.