Kreu i opozitës venezueliane Juan Pablo Guanipa rrëmbehet vetëm disa orë pas lirimit nga burgu

Një figurë e njohur e opozitës venezueliane, Juan Pablo Guanipa, u rrëmbye të dielën në mbrëmje nga persona të armatosur rëndë, vetëm disa orë pasi ishte liruar nga burgu ku mbahej si i burgosur politik.

Familjarët dhe aleatët politikë të Guanipës deklaruan se ai u mor me forcë nga një grup personash të paidentifikuar, duke akuzuar drejtpërdrejt autoritetet në Karakas për përgjegjësi. Sipas tyre, bëhet fjalë për një rrëmbim dhe jo për një arrestim ligjor.

Ngjarja ndodhi në lagjen Los Chorros të kryeqytetit Karakas. Liderja e opozitës dhe laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, María Corina Machado, bëri të ditur se persona të veshur civilë, të armatosur rëndë dhe që udhëtonin me katër automjete, e morën Guanipën me forcë.

Djali i tij, Ramin Guanipa, deklaroi se rreth dhjetë persona pa asnjë identifikim zyrtar i drejtuan armët dhe e rrëmbyen babanë e tij gjatë një aktiviteti të natës, duke kërkuar prova se ai është ende gjallë.

Partia e tij, Primero Justicia, akuzoi qeverinë venezueliane për këtë akt dhe tha se mban përgjegjës presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez, kryetarin e Asamblesë Kombëtare Jorge Rodríguez dhe ministrin e Brendshëm Diosdado Cabello për çdo dëm ndaj jetës së Guanipës.

Zyra e prokurorit publik reagoi më vonë, duke deklaruar se kishte kërkuar vendosjen e Guanipës në arrest shtëpie, me pretendimin se ai kishte shkelur kushtet e lirimit, megjithatë pa dhënë detaje mbi mënyrën e ndalimit të tij.

Juan Pablo Guanipa ishte arrestuar në maj të vitit 2025 nën akuza të pambështetura për përfshirje në një komplot “terrorist” kundër zgjedhjeve, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht. Ai u lirua të dielën, së bashku me dhjetëra të burgosur të tjerë politikë, në kuadër të presionit ndërkombëtar ndaj qeverisë venezueliane.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe opozita vazhdojnë të akuzojnë regjimin venezuelian për rrëmbime, arrestime arbitrare dhe shtypje të kundërshtarëve politikë.