E mori rrjedha e përroit pas aksidentit me makinë, gjendet pas një muaji trupi i pajetë i 30 vjeçarit

Është gjetur trupi i të riut Jurgen Karaj, teksa kërkimet për 30 vjeçarin vijonin që prej datës 10 janar, ku makina ku ai udhëtonte si pasagjer ra në përroin e fshatit Dars të Bashkisë Klos.

Mësohet se trupi i të riut është gjetur 30 kilometra larg vendit ku ndodhi aksidenti i rëndë.

Në kërkimet për gjetjen e të riut ishin angazhuar forca të policisë, zjarrfikëse nga bashkitë Mat dhe Klos, edhe efektivë të Forcave të Armatosura, familjarë dhe banorë të zonës.

Jurgen Karaj po udhëtonte me shokun e tij, 24 vjeçarin Andi Losha, i cili ishte në timon kur makina doli nga rruga dhe përfundoi në përrua.

Losha arriti që të shpëtonte dhe arriti që të largohej, duke mos i dhënë ndihmë shokut të tij. Për këtë arsye ai u arrestua dy ditë pas aksidentit tragjik.

24 vjeçari Andi Losha rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur.