Franca dhe Kanadaja kanë hapur konsullata në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, në një shenjë mbështetjeje për Danimarkën, aleate e tyre në NATO, pas rikthimit të deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të territorit arktik.
Jean-Noel Poirier, i emëruar Konsull i Përgjithshëm i Francës në Nuuk, tha se prania diplomatike franceze nuk ishte një sinjal për administratën amerikane, por një mesazh miqësie për Groenlandën dhe Danimarkën.
“Është gjithashtu çështje solidariteti. Kur ke nevojë për miq, kthehesh dhe sheh kush është aty. Dhe ne jemi këtu si francezë. Nuk është kundër askujt, por në mbështetje të dikujt,” deklaroi Poirier për gazetarët.
Ambasadori i Francës në Danimarkë, Christophe Parisot, theksoi se konsullata nuk është vetëm simbolike, por një hap konkret që dëshmon bashkëpunimin dhe aleancën mes vendeve evropiane.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, së bashku me Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon, mbërritën të premten në Nuuk për të inauguruar zyrtarisht konsullatën kanadeze, me një ceremoni të ngritjes së flamurit.
“Kanadaja dhe Groenlanda ndajnë kufirin detar më të gjatë në botë, si dhe lidhje shekullore në Arktik,” thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Kanadasë. “Konsullata e re në Nuuk do të na afrojë edhe më shumë, duke forcuar partneritetin me Groenlandën dhe Mbretërinë e Danimarkës.”
Kanadaja kishte njoftuar që në dhjetor 2024 planet për hapjen e konsullatës në Groenlandë, në kuadër të politikës së saj të jashtme për Arktikun, ndërsa Franca e kishte paralajmëruar hapjen e konsullatës që në qershor të vitit të kaluar nga presidenti Emmanuel Macron.
Hapja e këtyre përfaqësive diplomatike vjen pas javësh tensionesh mes SHBA-së dhe Evropës, pasi Donald Trump rihapi idenë e aneksimit të Groenlandës, duke e cilësuar atë si të domosdoshme për sigurinë amerikane.
Deklaratat e Trump për territorin autonom arktik, që administrohet nga Danimarka, një vend anëtar i NATO-s, kanë rrezikuar unitetin perëndimor dhe kanë krijuar përçarje brenda aleancës ushtarake.
Si pasojë e retorikës së ashpër, disa vende evropiane kanë dërguar trupa shtesë në ishull për stërvitje ushtarake së bashku me Danimarkën. Trump kishte kërcënuar gjithashtu me vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që mbështesin Groenlandën, por më vonë u tërhoq, pasi arriti një “kornizë marrëveshjeje” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.