‘Na kanë grabitur pronat’! Deputeti i Mundësisë shkon te banorët e Rrjollit! Kapri: Betejë në mbrojtje të tyre

Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri ka qenë sot në Rrjoll të Velipojës për të takuar nga afër banorët të cilët janë ngritur në protestë kundër vendimit të Qeverisë dhe miratimit të zv.kryeministres Belinda Balluku për ndërtimin e një resorti turistik në pronat që ata pretendojnë se i kanë me ligjin 7501.

Kapri ka dëgjuar shqetësimin kryesor të banorëve për rrëmbimin e pronave me vendim qeverie, ndërkohë që ata thonë se zërin e kanë ngritur prej kohësh por nuk i ka dëgjuar askush.

“Ka ndodhur kudo, ku ka det të bukur nuk kanë pyetur se kush i ka pronat, se kush jeton këëtu, por i kanë rrethuar dhe i kanë zaptuar dhe kanë ndërtuar. Ndërkohë që nuk mund të vendosë qeveria se kush mund të pasurohet dhe kush jo”, tha Kapri.

“Na kanë grabitur”, u shprehën banorët.

Kapri u premtoi banorëve se zëri i tyre do të shkojë në Parlament, ku Partia Mundësia do të kërkojë nga Qeveria që të respektojë ligjin dhe të mos abuzojë me pronat e shqiptarëve.

Deputeti i Mundësia ka kërkuar edhe dorëheqjen e kreut të Policisë së Shtetit pas përplasjes së qytetarëve me uniformat blu.

Ndërkohë që Kapri u ka premtuar banorëve të Rrjollit se “Mundësia” do t’u gjendet pranë edhe me asistencë juridike si dhe do të informojë edhe ndërkombëtarët për shqetësimet e tyre në lidhje me grabitjen e pronave.

“Kemi juristët tanë, do lidhemi edhe me avokatët tuaj dhe ta ndjekim këtë çështje. Po ashtu të bëjmë edhe një letër shpjeguese për faktorin ndërkombëtar, të bëjmë edhe ne një padi në SPAK për të ndjekur të gjithë përgjegjësitë penale të Belinda Ballukut dhe Bashkim Ulajt”, tha Kapri.

Më 16 janar të këtij viti, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur lejen e ndërtimit për resortin turistik gjigant në zonën Rrjollit në Shkodër, dhe parashikon ndërtimin e një kompleksi me sipërfaqe rreth 1.46 milionë metra katrorë, i konsideruar një nga investimet më të mëdha turistike në vend.

Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze parashikohet të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.