Ish-princi Andrew largohet nga Royal Lodge në Windsor

Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew i Britanisë së Madhe, është larguar nga rezidenca e tij shumëvjeçare në Windsor dhe aktualisht banon në Norfolk të Anglisë, raporton CNN.

Në muajin tetor, Mountbatten-Windsor u urdhërua të largohej nga Royal Lodge, një rezidencë 30-dhomëshe në zemër të pronës mbretërore të Windsorit, pranë Londrës, pasi vëllai i tij, Mbreti Charles III, e përjashtoi nga familja mbretërore mes skandalit të lidhur me Jeffrey Epstein.

Largimi pritej të ndodhte pas sezonit të festave, por ai vjen në një kohë kur presioni publik ndaj Mountbatten-Windsor është rritur sërish, pasi emri i tij u përmend përsëri në dokumente të reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në kuadër të hetimeve ndaj Epstein, i cili ishte i dënuar për krime seksuale dhe tashmë i ndjerë.

Burime mbretërore i thanë CNN-it vitin e kaluar se Mountbatten-Windsor do të sistemohej në një banesë në pronën private të Mbretit në Sandringham dhe do të përfitonte gjithashtu të ardhura financiare nga Charles. BBC raporton se ai aktualisht po qëndron në një pronë të përkohshme në Sandringham, ndërsa rezidenca e tij e përhershme po i nënshtrohet rinovimeve.

Sipas CNN, Mountbatten-Windsor pritet të bëjë vizita të herëpashershme në Windsor gjatë javëve në vijim, derisa të përfundojë faza kalimtare e zhvendosjes.

Qëndrimi i tij në Royal Lodge, për të cilin kishte paguar rreth 1 milion dollarë për një kontratë qiraje 75-vjeçare, me një qira simbolike vjetore, u bë objekt zemërimi publik në Britani në tetor, pas publikimit të një autobiografie pas vdekjes së Virginia Giuffre. Ajo kishte deklaruar se Andrew e kishte sulmuar seksualisht kur ishte adoleshente.

Giuffre, të cilën Mountbatten-Windsor pretendon se nuk e ka takuar kurrë, ndërroi jetë në prill në moshën 41-vjeçare, duke kryer vetëvrasje. Andrew ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat ndaj tij.

Ish-princi tentoi të zbusë kritikat duke hequr dorë nga përdorimi i titujve të tij, por kjo nuk arriti të ndalë valën e lajmeve negative. Kjo çoi në vendimin e jashtëzakonshëm të Mbretit Charles III për t’ia hequr titujt mbretërorë dhe për ta dëbuar nga prona mbretërore në Windsor, masa më e fortë e ndërmarrë ndonjëherë për të frenuar skandalin që lidhet me marrëdhëniet e tij me Epstein.

Mbretëresha Elizabeth II i kishte dhënë Andrew-t, fëmijës së tretë nga katër, të drejtën për të jetuar në Royal Lodge, e cila është zyrtarisht pronë e Crown Estate.