Mbetjet në 102 kontejnerët e “Kurum” rezultuan të rrezikshme, lëshohen 33 masa sigurie! Arrestohet ish-drejtoresha e AKM-së

Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 masa sigurie pas hetimeve se qindra ton mbetje të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.

Burime për mediat bëjnë me dije se pas analizave të kryera, rezultoi se mbetjet e kompanisë “Kurum” rezultuan të rrezikshme.

Raportohet se janë dhënë 26 masa “arrest me burg” dhe 7 “arrest shtëpie”.

Aktualisht nuk dihen emrat e personave për të cilët janë dhënë këto masa sigurie, por mësohet se mes tyre janë biznesmenë dhe zyrtarë të AKM dhe Doganave. “Arrest shtëpie” është caktuar ndaj ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”, Arta Dollani.

Mësohet se komunikimi dhe zbatimi i masave të sigurisë është ende duke vijuar nga Policia e Shtetit.

Kontejnerët ishin eksportuar nga Shqipëria drejt Tajlandës, por u kthyen pas alarmit të dhënë nga organizata mjedisore “Basel Action Network”, se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike.

Kontejnerët u sekuestruan me urdhër të Prokurorisë së Durrësit dhe u depozituan në Porto Romano si pjesë e një procedimi të nisur për veprat penale “kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “transportim i mbetjeve dhe shpërdorim i detyrës”.