Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka shpërthyer në akuza ndaj mazhorancës dhe zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ai akuzoi mazhorancën se po mbron Ballukun, ndërsa kjo e fundit ka dy vite që nuk paraqitet për interpelancë, por vijon të firmosë aferat e qeverisë dhe të abuzojë me paratë e qytetarëve.
Sipas tij, me këto vendime, mazhoranca po shkel Kushtetutën dhe premtimin që i ka bërë shqiptarët se nuk do të vjedhin paratë e tyre, por do t’i shpenzojnë për spitalet.
“A vlen Kushtetuta për ju? Neni 80 thotë që kryeministri dhe ministrat janë të detyruar t’i përgjigjen interpelancave brenda 3 javëve. Në korrik të 2023 kam kërkuar një interpelancë me Ballukun, 2 vite. Ku e gjeni kurajën të vini këtu e të bëni sikur s’ka ndodhur gjë. Doni që Balluku të abuzojë me paratë e shqiptarëve e nuk pyesni as për Kushtetutë, as për kërkesën për pezullim dhe arrestimin e saj. Skandal, flisni për gjithçka përveçse si të mbrojmë paratë e shqiptarëve nga abuzuesit. 2 vite injorohet kërkesa për interpelancë, Balluku vijon e firmos aferat e qeverisë. Jepini fund mbrojtjes së Ballukut. Nuk mund të shkelni Kushtetutën dhe premtimin që i keni bërë shqiptarëve që nuk do të vidhni paratë e tyre dhe t’i shpenzoni për spitale”, tha Shehaj.