Arkeologët kanë zbuluar një varr zapotek 1 400-vjeçar në jug të Meksikës, i zbukuruar me gdhendje komplekse, i cili është quajtur “zbulimi arkeologjik më i rëndësishëm i dekadës së fundit”.
I ndodhur në San Pablo Huitzo, në shtetin Oaxaca, varri u ndërtua nga kultura zapoteke rreth vitit 600, sipas një deklarate të Institutit Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë së Meksikës (INAH) javën e kaluar. Mes detajeve të shumta të ruajtura shumë mirë është një skulpturë e një bufi që ndodhet mbi hyrjen e dhomës mortore. Brenda sqepit të bufit shihet një skulpturë e kokës së një burri, e cila mund të përfaqësojë personin e varrosur aty, sipas INAH. Qindra mijëra folës të gjuhës zapoteke jetojnë ende sot në Meksikë. Për zapotekët, bufat simbolizojnë si natën ashtu edhe vdekjen.
Vendi është gjithashtu shtëpi e muraleve shumëngjyrëshe, që paraqesin simbole të lidhura me pushtetin dhe vdekjen. Në pragun e dhomës mortore ndodhen gdhendje të dy figurave njerëzore që mbajnë objekte të ndryshme në duar, të cilët mund të kenë qenë rojet e varrit, sipas INAH. Ndërsa brenda vetë dhomës mortore gjendet një mural “i jashtëzakonshëm” në ngjyra okër, të bardhë, jeshile, të kuqe dhe blu, që paraqet një procesion njerëzish që mbajnë thasë me kopal, një rrëshirë pemësh që digjej si temjan gjatë ceremonive. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, theksoi rëndësinë e këtij zbulimi gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp të premten e kaluar.
“Është zbulimi arkeologjik më i rëndësishëm i dekadës së fundit në Meksikë për shkak të nivelit të ruajtjes dhe informacionit që ofron,” tha ajo. Sekretarja e Kulturës e Meksikës, Claudia Curiel de Icaza, nënvizoi gjithashtu se varri është një “zbulim i jashtëzakonshëm” për atë që na tregon rreth kulturës zapoteke dhe “organizimit të saj shoqëror, ritualeve funerale dhe sistemit të besimeve, të ruajtura përmes arkitekturës dhe muraleve”.
Një ekip multidisiplinar nga INAH po punon aktualisht për të mbrojtur vendin dhe për të kryer kërkime të mëtejshme. Kjo përfshin stabilizimin e muraleve, të cilat ndodhen në një “gjendje të brishtë” për shkak të ndikimit të rrënjëve të pemëve, insekteve dhe ndryshimeve të shpejta të kushteve mjedisore, sipas INAH.