Kina ka ekzekutuar 11 anëtarë të bandës famëkeqe kriminale të familjes Ming, e cila drejtonte qendra mashtrimi të ngjashme me mafian në Mianmar dhe vriste punëtorët që përpiqeshin të arratiseshin, raportojnëmediat shtetërore kineze.
Familja Ming ishte një nga të ashtuquajturat “katër familjet” e veriut të Mianmarit, sindikata kriminale të akuzuara për menaxhimin e qindra komplekseve të përfshira në mashtrime online, prostitucion dhe prodhim droge. Anëtarët e tyre mbanin gjithashtu poste të rëndësishme në qeverinë lokale dhe në milicitë e lidhura me juntën ushtarake të Mianmarit.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, 11 personat u dënuan me vdekje në shtator, pasi u shpallën fajtorë për vepra penale si vrasje, ndalim i paligjshëm dhe mashtrim. Dy prej të pandehurve apeluan vendimin, por Gjykata e Lartë Popullore e Kinës e la në fuqi dënimin fillestar.
Klani kriminal, i udhëhequr nga Ming Xuechang, ishte prej kohësh i lidhur me një kompleks famëkeq të quajtur “Crouching Tiger Villa” në Kokang, një rajon autonom në kufirin e Mianmarit me Kinën. Në kulmin e aktivitetit, grupi kishte rreth 10 mijë persona që punonin në mashtrime dhe krime të tjera.
Qyteti Laukkaing, kryeqendra e Kokangut, ishte zemra e një industrie mashtrimesh me vlerë shumë miliardë dollarë, e zhvilluar në zona pa ligj të Mianmarit, ku punëtorë të trafikuar përdoreshin për të mashtruar viktima përmes skemave të sofistikuara online.
Pas viteve të ankesave nga familjarët e punëtorëve të trafikuar dhe vëmendjes në rritje nga mediat ndërkombëtare, Pekini ndërmori një goditje të fortë ndaj këtyre komplekseve në vitin 2023. Në nëntor të atij viti, Kina lëshoi urdhër-arreste për anëtarët e familjes Ming, duke i akuzuar për mashtrim, vrasje dhe trafikim njerëzor, si dhe ofroi shpërblime nga 14 mijë deri në 70 mijë dollarë për kapjen e tyre.
Kreu i familjes, Ming Xuechang, i cili kishte shërbyer edhe si deputet në parlamentin shtetëror të Mianmarit, u vetëvra më vonë ndërsa ishte në paraburgim, raportuan mediat shtetërore kineze. Djali i tij, Ming Guoping, një udhëheqës i Forcës Kufitare të Kokangut të lidhur me juntën, si dhe mbesa e tij Ming Zhenzhen, ishin mes të ekzekutuarve.
Sipas Institutit të Paqes të Shteteve të Bashkuara, i themeluar nga Kongresi amerikan, bandat e mashtrimit në Azinë Juglindore vjedhin mbi 43 miliardë dollarë në vit.