Vrasja e Jani Aliajt në burgun e Koridhalos, dyshime se autori mund të jetë shqiptari Xhuliano Halili

Hetimet për vrasjen e 49 vjeçarit shqiptar Jani Aliaj në burgun e Koridhalos kanë marrë një rrjedhë tjetër, pasi dyshohet se greku që pranoi autorësinë e krimit mund të jetë detyruar për të dhënë atë dëshmi.

Autoritetet dyshojnë se autori i vërtetë i vrasjes së Aliajt është 44 vjeçari nga Tepelena, Xhuliano Halili, pasi ai rezulton të jetë plagosur në këtë ngjarje, ndërkohë që greku nuk kishte asnjë shenjë përleshje.

Xhuliano Halili dy vite më parë kishte ekzekutuar në burg edhe Alfond Ndocin, ndërkohë që dyshimet e policisë erdhën pasi brenda në burg po flitej se autori i vrasjes së Aliajt kishte qenë pikërisht 44 vjeçari nga Tepelena.

Ky i fundit rezulton i dënuar me burg të përjetshëm si vrasës me pagesë. Ai është autor i vrasjes së Fillim e Oligert Mesaja në nëntor të vitit 2011 në Kalamata, pasi ishte porositur nga krimineli grek Vasilis Varelas. Halili është autor edhe i dy vrasjeve të tjera në vitet 2008 dhe 2009, ku viktimat kanë qenë shtetas grekë.