SHBA dhe TikTok arrijnë marrëveshje, aplikacioni nuk mbyllet

TikTok ka finalizuar një marrëveshje që i mundëson aplikacionit shumë popullor të videove të shkurtra të vazhdojë operimin në Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja vjen pas një përplasjeje disavjeçare mes Uashingtonit dhe Pekinit, e cila nisi gjatë mandatit të parë të Donald Trump si president, kur ai tentoi pa sukses të ndalonte TikTok-un për arsye të sigurisë kombëtare.

Sipas legjislacionit amerikan, platforma duhej të ndalohej në SHBA në janar të vitit 2025, nëse pronari i saj kinez, ByteDance, nuk do të shiste operacionet amerikane. Megjithatë, Trump e shtyu disa herë zbatimin e ligjit që parashikonte mbylljen e aplikacionit.

Një nga pikat kryesore të konfliktit ishte algoritmi i fuqishëm i TikTok-ut, i cili përcakton përmbajtjen që u shfaqet përdoruesve. Tashmë, ky algoritëm do të licencohet për pronarët amerikanë dhe do të trajnohet vetëm mbi të dhëna të përdoruesve në SHBA.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo do të sjellë ndryshime në funksionimin e aplikacionit, por ende nuk është e qartë se si do të ndikohen rreth 200 milionë përdorues amerikanë.

Çfarë përfshin marrëveshja?

Prej vitesh, autoritetet amerikane kanë ushtruar presion ndaj TikTok-ut për të shitur operacionet në SHBA, duke shprehur shqetësime se qeveria kineze mund të detyronte kompaninë të dorëzonte të dhëna të përdoruesve amerikanë. TikTok dhe ByteDance i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.

Ideja e ndalimit të aplikacionit u rikthye fuqishëm gjatë presidencës së Joe Biden, i cili në vitin 2024 nënshkroi një ligj që kërkonte shitjen e TikTok-ut ose përballjen me ndalim. Pas një beteje ligjore, aplikacioni u mbyll përkohësisht për përdoruesit amerikanë për disa orë në janar të vitit të kaluar, por u rikthye pas premtimit të Trump për të ndërhyrë.

Në shtator, Trump njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me Kinën për ta mbajtur TikTok-un aktiv në SHBA, ndërsa në dhjetor u nënshkruan marrëveshje detyruese me investitorë amerikanë dhe ndërkombëtarë.

Sipas marrëveshjes së re, është krijuar kompania TikTok USDS Joint Venture LLC, e cila do të menaxhojë të dhënat e përdoruesve amerikanë, aplikacionin dhe algoritmet, duke zbatuar masa të avancuara të sigurisë kibernetike dhe privatësisë.

Trump reagoi në rrjetet sociale, duke shkruar se ishte “shumë i lumtur që ndihmoi në shpëtimin e TikTok-ut”.

Kush e zotëron TikTok-un në SHBA?

TikTok njofton se ndërmarrja e re do të funksionojë si entitet i pavarur, i drejtuar nga një bord prej shtatë anëtarësh, shumica amerikanë. Drejtor ekzekutiv është emëruar Adam Presser, ish-drejtues në WarnerMedia.

Tre investitorët kryesorë, secili me nga 15% të aksioneve, janë:

  • Oracle, gjiganti i teknologjisë cloud
  • Silver Lake, fond investimesh amerikan
  • MGX, investitor nga Emiratet e Bashkuara Arabe në fushën e inteligjencës artificiale

Oracle do të ketë përgjegjësinë për sigurinë e të dhënave dhe për ritrainimin e algoritmit të rekomandimit të përmbajtjes. ByteDance do të mbajë një pjesëmarrje prej 19.9% në kompani, ndërsa pjesa tjetër zotërohet nga disa investitorë të tjerë amerikanë.