Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një denoncim të fortë në rrjetet sociale, ku thotë se ministri Ervin Demo duhet të shpjegohet për babanë e tij, i cili ka patur ortak një trafikant të kokainës.
Ajo pyet edhe nëse kryeministri Rama, të cilin e etiketon si “mbreti”, është në dijeni të këtij fakti ose jo.
“Ervin Demo, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor mos duhet te shpjegohet pak per babain qe e ka patur ortak te nje trafikanti kokaine? Di gje “mbreti” per kete pune”, shkruan Klodiana Lala.
Por kush është trafikanti për të cilin shkruan gazetarja?
Babai i Ervin Demos është Zehni Demo, i cili sipas të dhënave të “OpenCorporates.al” është aksioner në kompaninë “Wonder Green së bashku me Marsel Shegën. Pikërisht ky i fundit është trafikanti të cilit i referohet gazetarja Lala.
Marsel alias Bujar Shega, u arrestua 2 vite më parë në Milano, pasi akuzohej se pastronte paratë e grupeve kriminale, teksa njihej edhe si “truri financiar” i grupit të Suel Çelës. Kompanitë e tij, kanë fituar tendera për pastrimin e disa qyteteve dhe Shega njihet për njohje dhe lidhje të forta në politikë.
Ndërkohë, edhe kur Ervin Demo ishte kryebashkiak i Beratit, ka patur akuza se po zbatonte një skemë të njëjtë si ajo e “5D” në tiranë, ku paratë publike shkonin në xhepat e babait të tij dhe shokëve të tij.
