3 persona, me precedent të mëparshëm penal janë arrestuar në Tiranë, si pjesë e një grupi kriminal që shisnin armë zjarri.
Të arrestuarit janë: Artur Brahimaj, Ilir Zyberi dhe Artur Rushiti, ndërsa një 28 vjeçar është shpallur në kërkim.
Mësohet se armët silleshin nga Fieri u shiteshin grupeve kriminale në Tufinë dhe Fresk në vlerën e 700 deri 800 euro. Më pas këto arsmë dyshohet se do përdoreshin në ngjarje kriminale.
Ndërkohë po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 3 muajve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është organizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe është finalizuar operacioni i koduar “Anëtarët”.
Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
-I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
-A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim;
A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.