Vritet me thikë Jani Aliaj në burgun e Koridhalosit në Greqi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në burgun e Koridhalosit në Greqi, ku shqiptari Jani Aliaj është vrarë me thikë nga një tjetër i dënuar.

49 vjeçari nga Tepelena ishte arrestuar në 31 dhjetor 2024 dhe vuante dënimin në burgun famëkeq të Greqisë, teksa u qëllua me thikë pas një sherri të ndodhur në sektorin 3 të burgut.

Jani Aliaj nuk ishte një emër i panjohur edhe për autoritetet shqiptare, të cilat e kishin shpallur në kërkim. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në 1 Maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. 

Deri në momentin e arrestimit në Greqi, ai lëvizte me identitet të rreme, si Aleksan Kreshnik, teksa edhe autoritetet greke e kishin shpallur në kërkim, pasi ishte arratisur nga burgu i Korfuzit ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm.

Autoritetet e burgut grek kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa mësohet se edhe autori i vrasjes ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm.