Kryeministri Edi Rama u ka vendosur ultimatum kryebashkiakëve se nuk do të rikandidojnë sërish nëse ata nuk arrijnë targetin për Paketën e Malelve.
Gjatë një takimi me krerët e bashkive në vend këtë të shtunë, kreu i qeverisë i kritikoi ata se janë mbrapa me këtë paketë.
Ai tha se i kishte kërkuar ministrit Ervin Demo për të vendosur target në çdo bashki, ndërsa shtoi se ambicia ishte të bëheshin deri në 1000 aplikime në shkallë vendi.
“I kam kërkuar ministrit të vendosë target për çdo bashki. Ambicia jonë duhet të jetë 1 mijë investime në shkallë vendi. Nuk janë shumë.
Nuk do të ketë asnjë rikandidim të mundshëm nëse nuk arrihet targeti i këtij projekti. Është plotësisht e mundshme por ama 1 mijë investime nëse marrim një shifër më modesten të mundshme për secilin nga këto investime, prej 50 mijë eurosh që është shumë e ulët, mendoni çfarë i ndodh ekonomisë në tre vjet. Kështu që, fokusoheni dhe merreni shumë seriozisht. Kuptojeni se është një celës për të tërhequr njerëz aty ku duket se nuk ka njerëz.
Një element tjetër është të bëjmë një hap për të rritur cilësinë e planifikimit dhe projektimit, për këtë agjencia e re do ketë mision të vetin të asistojë bashkitë në planifikim dhe të krijohet një kanal më i shpejtë ndërveprimi”- u shpreh Rama gjatë takimit me kryebashkiakët në Durrës.