Policia ka arrestuar 26 vjeçarin Arbër Xhaxhaj, i cili shkaktoi aksidentin tragjik te Ura e Dajlanit, ku humbi jetën 18 vjeçarja Vikena Greku dhe u plagosën edhe dy këmbësorë.
26 vjeçari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Policia njofton se i riu ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo.
18 vjeçarja gjeti vdekjen në vend, ndërsa dy kombësorët janë jashtë rrezikut për jetën.
“Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmë, mbi aksidentin rrugor te ura e Dajlanit, me pasojë vdekjen e shtetases V. G., informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore kryen menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, me qëllim zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasit A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo. 26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa.”, thuhet në njoftimin e policisë.