Shkarkimi i Indrit Cerlojt pas arratisjes së Ndocit, emërohet drejtori i komanduar i burgut të Durrësit

Edmond Llabani është emëruar si drejtor i ri të burgut të Durrësit. Emërimi vjen pas shkarkimit të Indrit Cërloj një ditë më parë, pas  arrestimit të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit, ku kishte shkuar për kontrolle mjekësore.

Më herët, Llabani ka mbajtur detyrën e drejtorit në burgun e Peqinit.

Arratisja spektakolare e Ndocit solli shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të burgut të Durrësit.

Ndoci, i akuzuar për 4 vrasje, teksa ishte dërguar në spital për disa kontrolle mjekësore i ka kërkuar njërit prej policëve që e shoqëronte se do të shkonte në tualet. Sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur policin dhe është larguar me shpejtësi.

Plani për arratisjen ka qenë i mirëmenduar pasi jashtë ambienteve të spitalit, atë e pristë një makinë Audi A7 e bardhë dhe më pas janë larguar në drejtim të Spitallës.

Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.