Pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, ku ai kishte shkuar për disa kontrolle mjekësore, Forcat Operaracionale të burgjeve kanë ushtruar kontrolle në qelitë e burgut.
Sipas raportimeve, Forcat Operacionale të Policisë së Burgjeve janë nisur nga Tirana drejt Durrësit, ku kanë ndërmarrë kontrolle në institucionin e paraburgimit ku mbahej Ndoci, si dhe po mbledhin informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas arratisjes së Ndocit, u pezullua nga detyra zinxhiri komandues i burgut të Durrësit, mes tyre edhe drejtori i burgut, Indrit Cërrloj.
Drejtoria e Burgjeve ka nisur një hetim për sqarimin e plotë të rrethanave dhe pritet të dalin me konkluzionet për përgjegjësitë penale për skandalin e arratisjes.
Ndoci, pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, konsiderohet si person i rrezikshëm, pasi akuzohet ndër të tjera edhe për vrasje.