Detaje të reja janë mësuar në lidhje me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit.
Mësohet se Ndoci, i akuzuar për 4 vrasje, i ka kërkuar njërit prej policëve që e shoqëronte se do të shkonte në tualet. Sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur policin dhe është larguar me shpejtësi.
Plani për arratisjen ka qenë i mirëmenduar pasi jashtë ambienteve të spitalit, atë e pristë një makinë Audi A7 e bardhë dhe më pas janë larguar në drejtim të Spitallës.
Ndoci u shoqërua për në spitalin e Durrësit nga 5 efektivë të Policisë së Burgjeve, por vetëm dy prej tyre u futën brenda.
Njëri prej efektivëve të policisë ka qëlluar në ajër për ta trembur, por Altin Ndoci ia ka mbathur.
Altin Ndoci u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.
Por me 2 prill 2024 Gjykata e Posaçme ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit përfshirë edhe dyshimi për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija, duke e shpallur të pafajshëm atë.
Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024 ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.