Protesta kombëtare në 24 Janar? Takimi i partive opozitare të premten do të vendosë mbi detajet e tubimit

Kryedemokrati Sali Berisha ftoi ditën e djeshme të gjitha partitë opozitare në një takim që pritet të zhvillohet ditën e premte.

Ai tha se në takim do të diskutohet mbi protestën kombëtare që do të zhvillohet para datës 20 Shkurt. Ndërkohë, burime për media bëjnë me dije se PD ka caktuar datën 24 Janar për protestën.

Por, detajet e tubimit, data përfundimtare dhe ora pritet të vendosen përfundimisht në takimin e së premtes.

Deri më tani, Lëvizja Bashkë e ka refuzuar ftesën e Berishës, ndërkohë nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i partive të tjera opozitare.

““Të gjitha partitë pa përjashtim do ftohen. Ne mendojmë se është koha për të krijuar një front të gjerë opozitar, në mënyrë që me shkallën më të lartë të përgjegjësisë, forcat politike opozitare të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe, të bashkërendojnë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare narko-regjimit të Edi Ramës. Janë të ftuara pa përjashtim të gjitha”, tha Berisha dje.