Dhjetë persona shpallen fajtorë për ngacmim online ndaj zonjës së parë të Francës, Brigitte Macron

Një gjykatë në Paris ka shpallur fajtorë dhjetë persona për ngacmim kibernetik ndaj zonjës së parë të Francës, Brigitte Macron, pasi ata kishin përhapur pretendime të rreme se ajo është një grua transgjinore e lindur mashkull.

Brigitte Macron dhe bashkëshorti i saj, presidenti francez Emmanuel Macron, prej vitesh janë përballur me dezinformata të tilla, përfshirë edhe pretendimin e pavërtetë se ajo ka lindur me emrin Jean-Michel Trogneux, emër që në fakt i përket vëllait të saj më të madh.

Edhe diferenca prej 24 vitesh në moshë mes çiftit ka qenë shpesh objekt sulmesh dhe talljesh, të cilat ata i kishin injoruar për një kohë të gjatë, por së fundmi kanë vendosur t’i sfidojnë në rrugë ligjore.

Vendimi i së hënës shihet si një fitore për familjen Macron, teksa ata po ndjekin paralelisht edhe një padi për shpifje në Shtetet e Bashkuara kundër influencueses së djathtë dhe podkasteres Candace Owens, e cila ka përhapur gjithashtu pretendime se Brigitte Macron ka lindur mashkull.

Tetë burra dhe dy gra u shpallën fajtorë për komente keqdashëse lidhur me gjininë dhe seksualitetin e Brigitte Macron, duke shkuar deri te krahasime që e lidhnin diferencën e moshës me “pedofilinë”.

Dënimet variojnë nga një rast me gjashtë muaj burg, deri te gjobat, ndjekje të detyrueshme të kurseve për ndërgjegjësimin ndaj ngacmimit kibernetik, si dhe ndalim të përdorimit të platformës së rrjeteve sociale ku ishin publikuar komentet për pesë prej të dënuarve.

Disa nga të pandehurit kishin pretenduar se komentet e tyre ishin satirë, argument që gjykata e hodhi poshtë. Bertrand Scholler, 55 vjeç, galerist dhe shkrimtar, i dënuar me gjashtë muaj burg, deklaroi se do ta apelojë vendimin.

“Është e tmerrshme, e papranueshme,” u shpreh ai para gazetarëve, duke shtuar se sipas tij, liria e shprehjes në Francë po kufizohet gjithnjë e më shumë.

Në një intervistë për TF1 të dielën në mbrëmje, Brigitte Macron foli për betejën e saj kundër bullizmit online, duke shpresuar që rasti i saj të shërbejë si shembull për të tjerët. Ajo tha se sulmet ndaj saj kanë qenë të pandërprera dhe kanë përfshirë edhe ndërhyrje në të dhënat e saj tatimore online.

“Një certifikatë lindjeje nuk është diçka e parëndësishme. Është një prind që shkon dhe deklaron fëmijën e tij, kush është ai apo ajo,” tha Brigitte Macron, duke shtuar se dëshiron të ndihmojë të rinjtë në luftën kundër ngacmimeve online.