Zbulohet “loja” e PS për mandatin e Ballukut, Rama: USB-në me provat e SPAK s’e ka tërhequr asnjë deputet i PS apo avokatët e ministres

Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama u pyet në lidhje me marrjen të pandehur nga SPAK të zv.kryeministres Belinda Balluku.

I pyetur nëse Rama është kthyer në një zyrë avokatie për Ballukun, kreu i qeverisë e mohoi, ndërsa kishte edhe kritika për dosjen prej 16 mijë faqesh të SPAK që dorëzoi në Këshillin e Mandateve, pas kërkesës për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres.

Sipas Ramës, në ato 16 mijë faqe nuk ka hetime, por kontrata, studime dhe arkiv i ministrisë. Madje ai shtoi se po të ishte pjesë e Këshillit të Mandateve nuk do të pranonte dosjes e Prokurorisë së Posaçme.

Rama tha se USB-në me provat e Ballukut nuk e kanë tërhequr as deputetët e PS që janë pjesë e Këshillit dhe as avokatët e numrit dy të qeverisë, edhe pse këto të fundit kërkuan të paktën tre javë kohë për tu njohur me dosjen.

Por në rast se ata nuk e kanë tërhequr USB-në, lind pyetja, përse u kërkua shtyrja e Këshillit të Mandateve? Ndoshta lidhet me faktin se PS kërkon që të jap vendimin Gjykata Kushtetuese, kjo e konfirmuar edhe nga Rama, por deklarata e ketij të fundit, zbuloi edhe lojën e PS me zvarritjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve.

“USB e sjellë nga SPAK nuk e ka tërhequr asnjë deputet dhe as ministrja dhe avokati. Për të mos krijuar asnjë shteg se e nxorën këta. Kështu që nuk kemi të bëjmë me ndryshim qëndrimi, por me një qëndrim të duhur shumë korrekt nga ana jonë sepse rasti vjen në parlament dhe para se të vinte në parlament rasti u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv brutalisht me një kërkesë për pezullim. Në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur”, tha Rama.