Një shpërthim ka ndodhur në hyrjen e një pallati në lagjen “Manush Alimani” të Shkodrës, ku për pasojë ka humbur jetën një person.
Viktima është identifikuar si Hysni Ymeri, 69 vjeç, i cili u nis menjëherë drejt spitalit, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.
Fillimisht u raportua se shpërthimi kishte ardhur nga boksi elektrik, por OSHEE raportoi se nuk bëhej fjalë për shpërthim të tij, ndërsa më pas në media u raportua për shpërthim tritoli.
Ndërkohë, policia ka hedhur poshtë versionin e OSHEE dhe njofton se shpërthimi ka ardhur nga paneli i matëseve të energjisë elektrike.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike.
Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e rrethanave, identifikimin e shtetasit që ka humbur jetën dhe për përcaktimin e shkakut të shpërthimit të matësave elektrikë.