Viktor Zhusti nxjerr blof Lapajn: Eh mor LLAPA! Më kërkove foto private se më doje si aktor, e përdore për propagandën tënde

Aktori i njohur Viktor Zhusti ka reaguar ashpër ndaj Adriatik Lapajt, duke e akuzuar se ka përdorur për qëllime propagandistike një foto që sipas tij ishte kërkuar në mënyrë private.

Disa ditë më parë, Lapaj publikoi një foto me Zhustin, duke shkruar se aktori i kishte takuar gjatë protestës para Kryeministrisë dhe se u kishte dhënë “energji pozitive”, çfarë u interpretua si mbështetje për lëvizjen “Shqipëria Bëhet”. Por sot, Zhusti ka hedhur poshtë publikisht këtë version.

Në një postim në rrjetet sociale, aktori sqaron se fotografia është bërë rastësisht, teksa po kthehej në shtëpi pas shfaqjes dhe se ai kishte pranuar vetëm për respekt personal, siç thotë vetë, sepse Lapaj shprehu simpati për të si aktor. Sipas Zhustit, kishte një premtim që fotoja të mos publikohej dhe se këtë ua kishte bërë të ditur edhe personave të tjerë të pranishëm.

“E kishit të nevojshme një shashkë propagandistike”, shkruan Zhusti, duke e cilësuar publikimin e fotos si një veprim të qëllimshëm për të krijuar idenë e mbështetjes së tij politike. Ai thekson se nuk ka qenë dhe nuk është simpatizant i lëvizjes së Lapajt.

Zhusti shprehet se ky veprim i ka sjellë pasoja personale, duke përmendur armiqësi, qejfmbetje dhe komente negative, për të cilat, sipas tij, nuk kishte asnjë arsye të përfshihej.

Postimi i plotë:

Eh,mor LLAPA…

Nuk di a të kam sjellë ndonjë të mirë me dëshirën që të bëje një foto private, kur isha duke kaluar për në shtëpi mbas shfaqjes, por mua, veç dëm e shqetësim më ke sjellë.

Pranova të beje foto vetëm për albumin tënd privat meqë “ kishe shumë simpati si aktor” dhe më premtove që nuk do ta postosh, madje i thashë dhe bashëluftëtarit tënd, artistit të kaq e ka filmave dhe kandidatit për deputet të “Shqipëria bëhet”, djalit të mikut tim të çmuar, Gent Kames, që të mos e postosh

(po vendos dhe mesazhin për të dhe premtimin e tij) por juve, duket e kishit të nevojshme, një shashkë propagandistike për 22 dhjetorin…

Duke e shoqëruar foton me komentin “erdhi na takoi dhe na dha energji pozitive”… më bën përkrahës e simpatizant të partisë e lëvizjes tënde, “Shqipëria bëhet”, gjë që as më ka shkuar ndonjëherë ndërmend, pasi, sipas meje, Shqipëria, vërtet do bëhet, emancipohet, modernizohet, europianizohet, por, VETËM me ata, kundër të cilëve ju, po luftoni me çdo mjet e mënyrë.

Me postimin tënd më ke sjellë mjaft armiqësi, qejfmbetje dhe komente negative, për të cilat nuk kisha nevojë.

Po, nuk është hera e parë që dal i zhgënjyer nga miqësitë e rrugës…