Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Hagës për t’u takuar me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, që mbahet prej vitesh në qeli për shkak të gjykimit për krerët e UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Në një komunikim në rrjetet sociale, Rama tha burgosja e Thaçit është një turp i drejtësisë, teksa uroi që në fillim të vitit 2026, me përfundimin e procesit, krerët e UÇK-së të lirohen.
“Uroj shpresoj lutem që viti i ardhshëm të jetë viti mbylljes së perdes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtare dhe i daljes nga izolimi brutal i Hashim Thaçit dhe 3 bashkudhëtareve të tij. Uroj që vendet që sponsorizon këtë gjykatë të reflektojnë mbi këtë gjykatë.
Të vetmin faj kanë që u rebeluan ndaj një regjimi satrap dhe që morën armët për të mbrojtur të drejtën e pamohueshme për të jetuar si njerëz të barabartë të kësaj toke dhe jo si një grup social i përdhunuar për shkak të etnisë në një diktaturë. Këtë të vërtetë nuk e tund dot askush dhe lë më pastaj një çekiç absurd i një drejtësisë ndërkombëtare që në këtë rast ka lënë kokrrën e namit”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te çështja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, për të cilën u shpreh se Shqipëria është përpjekur të bëjë të gjitha detyrat, teksa është detyra e BE që t’i qëndrojë marrëveshjes.
“Mbrëmë kemi përmbyllur një samit që ka qenë inkurajues i suksesshëm por edhe për Kosovës. Presidentja e Kosovës ka shkëlqyer dhe me fjalë bindëse por edhe si rezultat i një punë këmbëngulëse dhe një koordinimi të mirë që kemi bërë javët e fundit ja ka dalë të zhbllokojë të gjitha fondet e bllokuara prej disa kohësh nga ana e BE. Sa i përket Shqipërisë jemi në kushte siç nuk kemi qenë ndonjëherë. Të vlerësuar dhe të mirëpritur maksimalisht në tempullin e Europës politike në Bruksel. Qëndrim ka qenë ajo që dini, troç, drejt pa dorashka.
Ua kam thënë edhe miqve të BE unë them atë që mendoj dhe bëj atë që thonë ata. Ne detyra e shtëpisë i bëjmë në mënyrë korrekte. Dhe nga ana tjetër ne fjalën tonë e themi hapur pa asnjë kompleks. Dhe kjo e ka rritur edhe vlerën në këto tryeza. Hapja e të gjithë kapitujve është për ne inkurajim. BE t’i qëndrojë marrëveshje për të mbyllur negociata brenda 2027, pasi ndonjëherë i luajnë marrëveshjes. Anëtarësimi ynë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit duhet përshpejtuar dhe i kam garantuar se do vazhdojmë reformat dhe përpjekjet në luftën kundër problemeve që kanë në luftën kundër korrupsionit. Dhe më vjen mirë t’ju them pa modesti që ju kam nderuar”, u shpreh kreu i qeverisë.