Vonesat në përgjigjet zyrtare ndaj gazetarëve, Rama: Kush ministër nuk jep informacion brenda afatit, të sanksionohet

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të dekriminalizohet shpifja për gazetarët. Gjatë fjalës së tij në Konferencën për të Drejtën e Informimit, Rama u shpreh se prej vitesh qeveria i ka ndaluar paditë për gazetarët dhe nuk ka pasur asnjë gazetar të goditur penalisht. 

“Dua të them që ne ndërkohë kemi marrë një angazhim tjetër që tregon të kundërtën e asaj që thuhet nga gota gjysmë bosh, që ta dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Nuk është se ka pasur ndonjë gazetar të goditur penalisht nga paditë e qeverisë në këto vite, as nuk ka pasur padi për gazetarët, i kemi ndaluar prej vitesh. Kjo nuk shënohet tek arsyet për tu ndjerë të lirë dhe me krahë në punë e gotës gjysmë bosh. Ne do ta bëjmë edhe këtë hap tjetër që shkon tek relaksimi i situatës së gazetarëve në tërësi. Shpresoj që i adresova disa gjëra ka edhe të tjera për të diskutuar. Ne nuk jemi thjesht në kushtet kur shprehim vullnet por ne mënyrë sistematike përpiqemi që vullnetin ta materializojmë me progres”, tha Rama.

Po ashtu numri një i qeverisë kritikoi komisionerin Besnik Dervishi, se ky i fundit duhet të aplikojë sanksione ndaj institucioneve, kur nuk merret përgjigje brenda 10 ditëve siç e përcakton ligji.

Ai u ndal dhe te rastet kur me sanksione u frenua fenomeni i zaptimit të trotuareve apo bllokimi i rrugëve nga ministra dhe deputetë. Po ashtu ai tha se sanksioneve për mungesë informacioni nga ana e qytetarëve nuk duhet t’i shpëtojnë ministrat dhe sekretarët e Përgjithshëm.

E kemi diskutuar edhe me Komisionerin, kemi pasur edhe një mbledhje qeverie, ku kemi theksuar që të jemi një fokus më të madh në këtë aspekt. Për këtë arsye kemi shtyrë përpara edhe projektin e transparencë Albania, që është një projekt ambicioz për të pasur në një territor virtual informacionin. Kjo do të lehtësonte edhe gjetjen e informacionit. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre problematikave lidhet me përtacinë burokratike. Nuk është barrikadë për të mbajtur informacionin, por është një problematikë e funksionimit të brendshëm të administratës. Kjo është e përmirësueshme, më pak se ç’do të prisnin ata që shohin gotën gjysmë bosh.

Për të qenë transparent, unë i kam bërë Komisionerit një vërejtje, e vërtetë, për aq sa i bëj një institucioni të pavarur, që është mungesa e sanksioneve për autoritetet më të larta. Ligji është i qartë; 10 ditë është koha për t’u përgjigjur. Kjo mund të jetë shumë. Nëse në ditën e 11 nuk ka përgjigje, përgjigjja është sanksioni. Duhet të sanksionohet institucioni përgjegjës. Duhet të bëhet delegimi te sekretarët e përgjithshëm. Duhet të sanksionohen ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm në ditën e 11.

Nëse do të ndodhë kjo në mënyrë të përsëritur, do të krijohet ndjesia e urgjencës, do të punohet si me sektorin e gotës gjysmë bosh. Duhet të vendosen sanksione. Kishim problem parkimin e paligjshëm të të gjithë deputetëve të Kuvendit, mbi trotuaret e mundshme dhe lulishtet dhe hapësirat publike rreth e rrotull. Ku janë sot? Pse s’ka më që parkojnë ashtu? U vendosën sanksione dhe u gjobitën dhe e kuptuan se loja e parkimit mbaroi. Nuk ka më makina ministrash që shkelin semaforin. Ndaj u fol me shoferët që mos të ndiheshin me faj dhe se duhet të respektonin ligjin.”, tha ai.