Gjermania akuzon Rusinë për sulm kibernetik dhe fushatë dezinformimi gjatë vitit 2024

Gjermania ka akuzuar zyrtarisht Rusinë për një sulm kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror dhe përpjekje për ndërhyrje në zgjedhjet federale, duke thirrur në takim edhe ambasadorin rus në Berlin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane deklaroi se inteligjenca ushtarake ruse qëndron pas një “sulmi kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror gjerman në gusht 2024”. Po ashtu, ai akuzoi Moskën për përpjekje destabilizimi dhe ndikimi në procesin elektoral të zhvilluar në shkurt të këtij viti.

Sipas tij, Gjermania, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë, do të ndërmarrë masa kundërpërgjigjeje për t’i bërë Rusisë “të paguajë një çmim për veprimet e saj hibride”. Nga ana e Rusisë nuk ka ende një reagim zyrtar.

Autoritetet gjermane thanë se sulmi kibernetik i gushtit 2024 lidhet me grupin rus të hakerëve “Fancy Bear”. “Gjetjet tona të inteligjencës provojnë se shërbimi ushtarak rus i inteligjencës, GRU, mban përgjegjësi për këtë sulm”, theksoi zëdhënësi.

Po ashtu, ai shtoi se tashmë konsiderohet e sigurt që Moska ka tentuar të “ndikojë dhe destabilizojë zgjedhjet e fundit federale si edhe çështjet e brendshme të Republikës Federale të Gjermanisë” përmes një fushate dezinformimi të quajtur Storm 1516.

Kjo fushatë është fokusuar kryesisht te kandidati kryesor i Partisë së Gjelbër, Robert Habeck, dhe ai i CDU-së, Friedrich Merz, i cili aktualisht mban postin e kancelarit. Qeveria gjermane bëri të ditur se shërbimet e sigurisë kanë identifikuar video të rreme që pretendonin manipulim votash, të shpërndara vetëm pak ditë para zgjedhjeve, si pjesë e operacioneve ruse të dezinformimit.

Grupi “Fancy Bear” është i njohur më herët për publikimin e të dhënave të Agjencisë Botërore Antidoping dhe për rolin e tij në sulmin kibernetik të vitit 2016 ndaj Komitetit Kombëtar Demokratik në SHBA, sipas ekspertëve të sigurisë.

Akuzat e reja vijnë në një periudhë kur në mbarë Evropën janë shtuar shqetësimet për sulme të dyshuara kibernetike nga Rusia, që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Moska, edhe pse nuk ka reaguar për pretendimet më të fundit, më herët ka mohuar akuzat e vendeve evropiane për një fushatë sabotimi apo veprimtari hibride.