35 vjetori i PD, Berisha nderon themeluesit dhe kontribuuesit ndër vite

Kreu i PD-së Sali Berisha mbajti fjalën e tij në aktivitetin e organizuar me rastin e 35 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Berisha nderoi themeluesit dhe kontribuuesit e PD ndër vite, duke nisur nga Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, Bujar Nishani, Sokol Olldashi dhe Gerti Bogdani.

Berisha tha se ishin forca politike që i dhanë Shqipërisë dhuratën më të çmuar, pluralizmin politik dhe lirinë.

“Nderim dhe mirënjohje për veprën e pavdekshme të tribunin të lirisë, krijuesit të PD-së Azem Hajdari, Azem ti je gjallë. Nderim të veçantë dhe të madhe për veprën dhe kontributin e themeluesit të shquar të PD-së. Intelektualit të mirënjohur të pavdekshmit Gramoz Pashko. Përulem me nderim të thellë para kontributit të themeluesit Mandelës së Europës, Pjetër Arbnori, qëndrestarit të madh. Personalitetit të shquar të PD-së, burrit të shtetit që i dha nder shtetit dhe presidencës Bujar Nishanit. Ministrit brilant të PD-së, Sokol Olldashit. Udhëheqësit të rinisë Gerti Bogdani. Kujtimi i tyre do jetë krenari e jona dhe demokratëve në çdo kohë.

Të dashur miq, ne jemi nga ato më të paktat parti të planetit që kanë ndarë epoka dhe kanë bërë histori. Që në ditën e parë të themelit tonë. Jemi një parti që në ditën e parë të ekzistencës sonë i dhamë Shqipërisë dhuratën më të çmuar, pluralizmit politik. I dhamë lirinë. U themeluam si parti në vendin e lirive dhe të drejtave të ndaluar me kushtetutë. Si forca politike e vokacionit perëndimor shqiptar. Jemi partia e interesit kombëtar të shqiptar, shpallëm në themelimin tonë interesin kombëtar.

Jemi partia që në shtetin e parë ateist të botës rikthyem besimin. Arritëm të shembim diktaturën e fundit komuniste por më të egër të Europës”- u shpreh Berisha.