Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, reagon kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Klodian Brahos si kreu i ri i SPAK.

Një një reagim në rrjetin X, teksa i uron punë të mbarë Brahos, Rama ka vlerësuar edhe punën e Altin Dumanit, që siç shkruan kryeministri, meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij.

Edhe pse kreu i qeverisë ka sulmuar SPAK, për rastin e Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut, Rama thotë se Prokuroria e Posaçme ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet.

“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”- shkruan Rama në reagimin e tij.