Në garë për të drejtuar SPAK, Elvin Gokaj tregon pikat e tij të forta

Prokurori i Posaçëm, Elvin Gokaj ka paraqitur sot platformën e tij para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Me një karrierë 26 vjeçare në sistemin e drejtësisë, Gokaj që prej dhjetorit të vitit 2021 është pjesë e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë prezantimit të platformës së tij, Gokaj ka renditur pikat se ku do të fokusohet puna e tij nëse ai zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme.

“Platforma ime bazohet në një përvojë profesionale 26-vjevcare në fushën e drejtësisë. Qendroj para jush jo për një detyrë por për të marrë një përgjegjësi.

Veprimtaria ime do të bazohet në luftën e pandërprerë në luftën ndaj korrupsionit dhe luftës së organizuar, konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore me ekspertë të fushave të ndryshme, ndërtimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtar dhe forcimi i besimit të publikut.

Këto përbëjnë thelbin e qasjes sime dhe përfaqësojnë angazhimin tim për të drejtuar këtë institucion drejt pjekjes së mëtejshme. Drejtimi i ri i SPAK do të nisë me një analizë të përgjithshme në mënyrë që ndërhyrjet të jenë efektive”, tha prokurori Gokaj.

I pyetur nga KLP mbi pikat e tij të forta, Gokaj tha se ato janë: puna, integriteti dhe mirënjohja ndaj njerëzve që punojnë.

Po ashtu ai u pyet mbi punën e dy drejtuesve të mëparshëm të SPAK, Arben Kraja dhe alton Dumani, për të cilët tha se i vlerëson pasi nuk kanë ndërhyrë në asnjë çështje. Ai shtoi se do të ndjek po këtë linjë në rast se zgjidhet në krye të SPAK.  

“Një nga karakteristikat që unë vlerësoj është se s’kanë ndërhyrë kurrë në asnjë çështje, asnjë ndikim nga drejtuesit për çështje konkrete dhe kjo do jetë edhe linja me që do ti qëndroj”, tha Gokaj.

Pika e dobët janë programet kompjuterike që kanë avancuar, por me ndihmën ekspertëve do ta kalojmë këtë fazë”, shtoi Gokaj.