Netflix ka finalizuar një nga marrëveshjet më të mëdha në historinë e Hollywood-it, duke blerë bizneset e filmit dhe transmetimit të Warner Bros Discovery për 72 miliardë dollarë. Pas një gare të gjatë me rivalët Comcast dhe Paramount Skydance, gjiganti i transmetimit doli fituesi kryesor.
Warner Bros, shtëpia e serialeve të njohura botërisht si Harry Potter, Game of Thrones dhe shërbimit HBO Max, pritet t’i japë Netflix-it një avantazh të madh në industrinë globale të argëtimit. Bashkëdrejtori ekzekutiv i Netflix, Ted Sarandos, deklaroi se bashkimi i bibliotekës gjigante të Warner Bros me platformën e Netflix-it “do t’u sjellë audiencave më shumë nga ato që duan dhe do të ndihmojë në përcaktimin e shekullit të ardhshëm të tregimit të historive”. Ndërkohë, Greg Peters, drejtuesi tjetër i Netflix, theksoi se ky bashkim do t’i mundësojë kompanisë ta prezantojë përmbajtjen e Warner Bros një audience më të gjerë se kurrë.
Edhe CEO i Warner Bros, David Zaslav, e cilësoi marrëveshjen si bashkimin e “dy prej kompanive më të mëdha të tregimit të historive në botë”, duke shtuar se partneriteti me Netflix do të sigurojë që përmbajtjet e kompanisë të mbeten të qasshme për publikun global për brezat që vijnë.
Marrëveshja përfshin 27.75 dollarë për aksion të Warner Bros, ndërsa vlera totale e ndërmarrjes arrin në rreth 82.7 miliardë dollarë, përfshirë borxhet. Shitja është miratuar unanimisht nga bordet e të dyja kompanive. Netflix do ta finalizojë marrëveshjen pasi Warner Bros të përfundojë ndarjen e divizionit të studieve dhe transmetimit nga rrjetet globale, të cilat do të funksionojnë si dy kompani të veçanta publike. Rrjetet globale të Warner Bros përfshijnë CNN, kanale sportive dhe disa platforma televizive falas në Europë.
Ekspertët paralajmërojnë se marrëveshja mund të përballet me sfida nga rregullatorët amerikanë të konkurrencës. Emma Wall nga Hargreaves Lansdown tha se një bashkim i tillë “krijon një superfuqi globale në argëtim”, e cila me siguri do të shqyrtohet nga autoritetet përkatëse. Po ashtu, analisti i televizionit Tom Harrington theksoi se kjo lëvizje do të ketë ndikim të madh në Hollywood, me mundësi reduktimi të prodhimeve filmike dhe televizive, gjë që mund të shkaktojë kundërshtime nga industria dhe sindikatat.
Për konsumatorët, marrëveshja mund të sjellë rritje çmimesh. Sipas Harrington, Netflix ka gjasa të bëhet më i shtrenjtë, ndërsa HBO Max mund të mbyllet ose të humbasë rolin e tij kryesor, duke çuar ndoshta në rritje të të ardhurave të përgjithshme nga abonimet.