Një helikopter me katër persona në bord është rrëzuar mëngjesin e sotëm në Valtellina të Italisë. Mjeti fluturues po kryente një fluturim mbi zonën Le Prese, në komunën Lanzada të provincës së Sondrios, kur rreth orës 08:35 është parë duke rënë.
Nga aksidenti ka humbur jetën një person, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë shpëtuar nga ekipi i emergjencës.
Viktima, një 29-vjeçar, u dërgua fillimisht në spitalin e Sondrios, por ndërroi jet. Ndër të plagosurit është edhe piloti i njohur 60-vjeçar, Maurizio Folini nga Chiuro (Sondrio), i cili njihet për operacionet e shumta të shpëtimit me helikopter në Everest.
Personi që humbi jetën është identifikuar si Tommaso Diaz Ledesma, 29 vjeç, banues në Valmadrera. Ai ndodhej në bord për inspektimin nga ajri të një zone me rrëshqitje dherash, ku së bashku me kolegët duhej të punonte. Tre punëtorët pritej të zbrisnin në bazën e rrëshqitjes për kryerjen e verifikimeve nga toka, por helikopteri u rrëzua për shkaqe ende të paqarta.
Helikopteri sapo kishte nisur fluturimin për të transportuar tre punëtorët në Le Prese, ku ata do të angazhoheshin në punimet për rihapjen e rrugës së mbyllur që prej 11 nëntorit, pasi një shkëmb gjigant ishte shkëputur nga mali dhe kishte rrokullisur deri në fushën e futbollit të Tornadrit.