Në hetim për mashtrim e korrupsion, Federica Mogherini jep dorëheqjen si rektore e Kolegjit të Evropës

Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini ka dhënë dorëheqjen nga posti i rektorës së Kolegjit të Europës. Këtë e ka komunikuar vetë Mogherini në një e-mail të dërguar stafit dhe studentëve të shkollës prestigjioze të Bryzhit.

“Në përputhje me rregullin dhe korrektësinë maksimale me të cilat kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i Rektorit të Kolegjit të Europës dhe Drejtoreshës së Akademisë Diplomatike të Bashkimit Europian”, ka shkruar Mogherini.

Dorëheqja vjen pak ditë pasi ajo u arrestua dhe më pas u lirua, teksa po hetohet në gjendje të lirë në kuadër të një hetimi për mashtrim, që përfshin Kolegjin e Evropës dhe Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (SEAE).

Hetimi, i udhëhequr nga prokurori i BE-së, përqendrohet në një kontratë njëvjeçare të dhënë Kolegjit të Evropës në kuadër të një tenderi për të hapur një akademi të re për trajnimin e diplomatëve të rinj kombëtarë dhe nëpunësve civilë të BE-së për role të ardhshme në përfaqësimin e Evropës jashtë vendit.

Prokurorët dyshojnë se, në vitet 2021–22, Kolegji dhe shërbimi diplomatik i BE-së mund të kenë bashkëpunuar për të drejtuar në mënyrë të papërshtatshme fondet e BE-së drejt projektit, duke përfshirë edhe duke i dhënë Kolegjit informacion paraprak për tenderin. Tenderi u hap zyrtarisht për universitetet në të gjithë Evropën.